Музеј на Македонија Logo

11 Tetori – Dita e Kryengritjes së Maqedonisë

11 Tetori – Dita e Kryengritjes së Maqedonisë

11 Tetori – Dita e Kryengritjes Popullore të Maqedonisë në Luftën e Dytë Botërore. Në këtë ditë, në vitin 1941, pas përgatitjeve paraprake, një grup prej 15 partizanësh nga Prilepi kreu një sulm të armatosur ndaj stacionit policor (uçastak), burgut dhe rrjetit të telekomunikacionit në qytetin e Prilepit. Ditën e nesërme, aksione të armatosura u shënuan edhe në rajonin e Kumanovës.

Me këto aksione të para të organizuara dhe të planifikuara, filloi Lufta Çlirimtare Kombëtare dhe antifashiste e popullit maqedonas dhe kombësive të tjera nga Maqedonia e Vardarit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas tre vitesh rezistencë partizane kundër fuqive të Boshtit të udhëhequra nga Gjermania naziste dhe mbi njëzet mijë viktimave të rëna, lufta rezultoi me dëbimin e ushtrive fashiste, çlirimin e vendit dhe formimin e shtetit të sotëm maqedonas, fillimisht si Maqedonia Demokratike Federale brenda Jugosllavisë federale.

Data 11 tetor u shpall për herë të parë festë popullore me ligjin e miratuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Maqedonisë Federale më 8 shtator 1945. Në shkurt të vitit 1948, Kuvendi i Republikës Popullore të Maqedonisë miratoi një ligj të ri sipas të cilit 11 Tetori shpallet festë shtetërore. Ky vendim është konfirmuar edhe me të gjitha ndryshimet e mëvonshme ligjore që rregullojnë shënimin e festave shtetërore në Republikë.

Çdo vit kjo festë shënohet me një program solemn, veçanërisht në qytetet e para të luftës, Prilep dhe Kumanovë. Si pjesë e festimeve, në Prilep organizohet edhe një inskenim i sulmit ndaj qytetit. Në nderim të Ditës së Kryengritjes, tradicionalisht ndahet edhe çmimi shtetëror "11 Tetori", mirënjohja më e lartë për vepër jetësore që u jepet personave me merita për zhvillimin e shkencës, artit, ekonomisë dhe veprimtarive të tjera me interes publik në RMV.

Në fotografi: Pushkë Mauser M1924, cal. 7.9 mm, e prodhuar në Mbretërinë SHS. Pushka i përkiste Dragan Spirkoskit - Makso, anëtar i aradhës së parë partizane të Prilepit "Goce Delçev" dhe pjesëmarrës në sulmin e 11 tetorit 1941 (Pjesë e koleksionit të Muzeut të RMV-së).