Музеј на Македонија Logo

Historia

Historia

Historia

Ideja për krijimin e një Muzeu Historik të veçantë të Maqedonisë u shfaq fill pas çlirimit dhe formimit të shtetit maqedonas, ndërsa realizimi i saj u zhvillua gradualisht dhe në një periudhë prej disa vitesh. Një nga hapat e parë në këtë drejtim ishte hapja e ekspozitës "Lufta Nacionalçlirimtare (LNÇ) e Maqedonisë", më 11 tetor 1948, në shtatëvjetorin e fillimit të Kryengritjes Antifashiste. Në këtë ekspozitë, të vendosur në ambientet e Galerisë së atëhershme të Arteve në Shkup, për herë të parë para publikut të gjerë u prezantuan objekte historike, dokumente, fotografi, dëshmi dhe materiale të tjera që kishin të bënin me luftën e sapopërfunduar popullore çlirimtare. Eksponatet e mbledhura shërbyen si bazë për krijimin e ekspozitës së parë të përhershme historike. Kjo ekspozitë u hap solemnisht më 22 nëntor 1951, në ndërtesën e asaj që më vonë u bë Shtëpia e Pionierëve në rrugën "Ilindenska" në Shkup. Me këtë, praktikisht u hap edhe "Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare të Maqedonisë". Ky muze u themelua zyrtarisht me Dekret të Qeverisë së Republikës Popullore të atëhershme të Maqedonisë më 24 qershor 1952, të botuar në "Gazetën Zyrtare të RPM-së" më 1 korrik të po atij viti. Gjatë përgatitjeve për hapjen e tij u mblodhën më shumë se 6000 dokumente dhe mbi 800 fotografi.

Që gjatë përgatitjeve, planifikohej që "Muzeu i LNÇ-së" të zgjerohej gradualisht me departamente të reja, duke u shndërruar kështu në Muzeun Historik të Maqedonisë. Gjatë vitit 1953 filluan përgatitjet e përshpejtuara për krijimin e konceptit, kërkimin dhe mbledhjen e materialeve lidhur me lëvizjen nacional-revolucionare të periudhës së Ilindenit. Aktivitetet u zhvilluan në kuadër të shënimit të jubileut të madh – 50-vjetorit të fillimit të Kryengritjes së Ilindenit. Më 2 gusht 1953, në ambientet e rikonstruktuara të ish-kazermës ushtarake në kalanë e Shkupit (Kale), u hap solemnisht departamenti i Periudhës Nacional-Revolucionare. Në të njëjtën kohë, në pavijonin maqedonas në Beograd u hap ekspozita "Ilindeni 1903-1953". Këto aktivitete shënuan rrumbullakimin e procesit për formësimin e Muzeut Historik të Maqedonisë.

Muzeu, në fillim, si shtëpi të tij shfrytëzoi ndërtesën e vjetër të ish-kazermës ushtarake në Kale, e cila duhej të shndërrohej në një ndërtesë të përhershme muzeale. Këto plane u prishën përgjithmonë nga tërmeti katastrofik i 26 korrikut 1963, në të cilin ndërtesa e vjetër pësoi dëmtime të rënda. Njëkohësisht, nën gërmadha mbetën një numër i madh objektesh të rëndësishme historike, të cilat ishin mbledhur me kujdes gjatë periudhës paraprake.

Pas tërmetit, Muzeu punoi për shumë vite në ambiente të përkohshme dhe në kushte shumë të vështira. Gjatë kësaj periudhe, punonjësit e muzeut u detyruan ta kryenin punën e tyre nga një barakë montuese. Ata arritën të shpëtonin dhe të mbronin nga gërmadhat një pjesë të objekteve me vlerë që zotëronin. Njëkohësisht, me gjithë kushtet e këqija, ata vazhduan me punën kërkimore dhe mbledhjen e materialeve të reja. Objektet e shpëtuara u mblodhën në tenda të improvizuara, ndërsa më vonë për një periudhë u ruajtën edhe në kishën "Shën Spasi". Muzeu, dukshmërinë e tij në atë kohë e realizonte kryesisht përmes organizimit të ekspozitave të shpeshta lëvizëse në nderim të shënimit të ngjarjeve dhe përvjetorëve të rëndësishëm. Një pjesë e këtyre ekspozitave u organizuan edhe në qytete të tjera anembanë Republikës.

Kjo gjendje ndryshoi në vitin 1976, kur u ndërtua ndërtesa e re e muzeut në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në afërsi të Kurshumli Hanit. Përveç Muzeut Historik, në objektin e ri bashkëkohor u vendosën edhe Muzeu Arkeologjik dhe ai Etnologjik. Nga kjo periudhë fillon edhe lidhja më e ngushtë mes tre muzeve, fillimisht si BOAL (Bashkësia e Organizatave të Punës së Bashkuar) – Muzetë e Maqedonisë, ndërsa më vonë, pas vitit 1984, edhe në një organizatë të vetme pune – Muzeu i Maqedonisë. Me këtë, Muzeu Historik humb statusin e një njësie të veçantë organizative dhe fillon të funksionojë si Departament i Historisë në kuadër të Muzeut të Maqedonisë.

Kjo gjendje u mbajt edhe pas ndryshimit të sistemit politik dhe pavarësimit të Republikës nga federata jugosllave, në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar. Sot, departamenti i historisë është pjesë përbërëse e Institucionit Nacional "Muzeu i RM të Veriut - Shkup", i cili si institucion amë kujdeset për ruajtjen, mbrojtjen dhe prezantimin e materialit muzeal dhe të objekteve të trashëgimisë historike, etnologjike dhe artistike të Maqedonisë. Departamenti i Historisë, i cili është drejtpërdrejt përgjegjës për ruajtjen, mbrojtjen dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore historike, aktualisht përbëhet nga 8 koleksione në të cilat ndodhet një material i pasur historik me rëndësi për historinë e Maqedonisë, popullit maqedonas dhe komuniteteve të tjera etnike. Koleksionet dhe materialet kanë të bëjnë me periudhën që fillon nga dyndja e Sllavëve në këto hapësira, gjegjësisht periudha sllavo-bizantine e shekujve VI-XIV, përmes trashëgimisë osmane, rilindjes kulturore, periudhës nacional-revolucionare të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, periudhës midis dy luftërave botërore, Luftës Popullore Çlirimtare 1941-1945, duke përfunduar me vitet e rindërtimit dhe ndërtimit të pasluftës të Maqedonisë, si dhe pjesën që i dedikohet kulturës fizike dhe sportit.

Institucioni Nacional Muzeu i RM të Veriut disponon një numër të madh objektesh historike muzeale, skulpturash, pikturash artistike, fotografish dhe materialesh të tjera, të cilat dëshmojnë për disa nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e vrullshme të Maqedonisë.

KOLEKSIONET:

 

Maqedonia nga shekulli VI-XIV (Periudha sllavo-bizantine)

 

Ngjarjet më të rëndësishme të kësaj periudhe janë paraqitur në mënyrë kronologjike, duke filluar nga ardhja e Sllavëve, pranimi i krishtërimit prej tyre, krijimi i alfabetit sllav, krijimi i shtetit mesjetar të Car Samoilit, kryengritjet kundër Bizantit, rënia nën sundimin serb dhe vendosja e feudave individuale.

Koleksioni përmban një numër të madh objektesh. Dyqind prej tyre janë objekte tredimensionale, si: monedha mesjetare të sundimtarëve bizantinë dhe serbë, unaza, tokëza, shigjeta e heshta, si dhe vegla të ndryshme. Është e rëndësishme të përmendet edhe shpata "volçjak" (ujku) dhe kopja e pllakës së Samoilit me mbishkrim nga fundi i shekullit X, që është teksti më i vjetër cirilik në Ballkan.

 

Maqedonia gjatë sundimit osman

 

Koleksioni i objekteve nga periudha osmane përbëhet nga më shumë se 500 objekte. Ato datojnë nga shekulli XIV, kur osmanët erdhën në Ballkan, deri në fillim të shekullit XX, përkatësisht deri në Kryengritjen e Ilindenit në vitin 1903. Shumica e tyre janë fotografi me portrete dhe vizatime të sulltanëve, objekteve të ndryshme, hamameve, teqeve të dervishëve, haremeve, sarajeve dhe disa peizazhe nga krahina të ndryshme.

Koleksioni ka më shumë se 200 monedha. Monedhat e bakrit janë më interesantet për numizmatistët.

Më reprezentativet janë armët dhe pajisjet ushtarake të ushtrisë osmane. Ky koleksion përmban rreth 200 copë armë të ftohta dhe armë zjarri (topuzë, shpata, jataganë, pistoleta të vogla - kubure, pushkë me fitil, kapsollë dhe pistoleta që mbushen me barut). Pjesa më interesante e armëve osmane është përpunimi dhe dekorimi i tyre. Dekorimet u japin armëve një bukuri të veçantë. Përveç datës së përpunimit dhe pjesëve nga Kurani, armët më shpesh janë të zbukuruara me arabeska dhe ornamente vegjetative, të qëndisura me gurë të çmuar dhe gjysmë të çmuar, perla, fildish, si dhe të zbukuruara me koral, ar dhe argjend.

 

Rilindja kulturore

 

Nga fundi i shekullit XVIII dhe në dekadat e para të shekullit XIX fillon procesi i zgjimit kombëtar të popullit maqedonas. Kjo periudhë shënon hapin e parë drejt rilindjes, i cili shprehet përmes synimit për shkrimin dhe gjuhën e vet, por edhe përmes formësimit gradual të ndërgjegjes kombëtare. Në këtë kontekst shfaqet edhe gjenerata e parë e rilindasve: Joakim Krçovski, Kiril Pejçinoviq dhe Teodosij Sinaitski, të cilët përmes veprave të tyre në gjuhën popullore hodhën themelet e traditës së ardhshme letrare.

Paralelisht me përhapjen e arsimit sllav në Maqedoni, shtrohet edhe pyetja e përzgjedhjes së gjuhës letrare. Qëllimi ishte të largohej gjuha greke nga shkollat, por u ngrit pyetja se në cilën gjuhë do të zhvillohej mësimi dhe do të shkruheshin tekstet shkollore? Përballë ndikimeve të forta greke dhe bullgare, shfaqet synimi për krijimin e teksteve dhe shkollave të veta maqedonase, gjë që paraqet një hap të rëndësishëm drejt pavarësisë kulturore. Kështu, në periudhën nga viti 1857 deri në vitin 1875 u botuan rreth 15 tekste shkollore.

Me forcimin e proceseve kulturore, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, zhvillohet ndjeshëm edhe veprimtaria letrare në Maqedoni. Karakteristik është interesi i shtuar për letërsinë popullore, folklorin dhe zakonet, pasi në to shprehet më së forti shpirti popullor dhe memoria kolektive. Gjatë kësaj periudhe mblidhen dhe regjistrohen këngë popullore, përralla dhe fjalë të urta, me çka ruhet trashëgimia kulturore. Përfaqësuesit më të shquar të kësaj periudhe janë: Jordan Haxhi Konstantinov-Xhinot, Kuzman Shapkarev, Gjorgji Pulevski, Rajko Zhinzifov, Grigor Përliçev, Dimitar dhe Konstantin Miladinov, Marko Cepenkov, Janaki Stezov dhe të tjerë.

Në mbyllje të shekullit XIX vërehet një rënie e aktivitetit letrar në Maqedoni, me çka përsëri hapet pyetja e gjuhës letrare. Në vitin 1892, kjo pyetje u ngrit përmes revistës "Loza", e botuar në Sofje, por që shpejt u ndalua. Në vitin 1902, në Petrogard u themelua Shoqata Shkencore-Letrare Maqedonase "Shën Klimenti", themeluesit e së cilës ishin Kërste P. Misirkov, Dimitar Çupovski, Dijamantija T. Mishajkov, Stefan J. Dedov, dr. Gavril Konstantinoviq dhe të tjerë. Në vitin 1913, veprimtaria vazhdon nën emrin "Kolonia Maqedonase", dhe njëkohësisht fillon botimi i gazetës "Makedonski glas" (Zëri i Maqedonisë), përmes së cilës promovohen idetë kombëtare dhe kulturore.

Zhvillimi i artit dramatik në Maqedoni fiton kontinuitet përmes vazhdimit të traditës së vendosur nga Xhinoti. Traditën e krijimtarisë dramatike, të filluar prej tij, e vazhdon denjësisht Vojdan Çernodrinski, i cili veprat e veta ia kushton historisë së rëndë dhe të përgjakshme të Maqedonisë, duke futur një angazhim të fortë patriotik dhe shoqëror në teatër.

Në kuadër të kësaj epohe, një vend të veçantë zë Kërste Petkov Misirkov si përfaqësuesi i saj më i rëndësishëm. Ai konsiderohet si themelues i gjuhës bashkëkohore letrare maqedonase dhe i mendimit shkencor maqedonas. Me qëndrimet e tij për standardizimin e gjuhës dhe për vetësinë kombëtare, ai jep një drejtim të qartë për zhvillimin e mëtejshëm kulturor dhe kombëtar, me çka nuk është vetëm produkt i ideologjisë së rilindjes, por edhe krijues dhe afirmues aktiv i saj.

Aneta Popantoska, kuratore e lartë, aneta.popantoska@gmail.com

 

Lëvizja Nacional-Revolucionare

 

Koleksioni i Lëvizjes Nacional-Revolucionare përmban në përmbajtjen e tij objekte të ndryshme që lidhen me lëvizjen revolucionare dhe nacional-çlirimtare maqedonase të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX (kaçakët/hajdutëria, Kryengritja e Razllovcit dhe ajo e Kresnës, Organizata Revolucionare Maqedonase, Kryengritja e Ilindenit, Luftërat Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore...). Në koleksion ruhen armë dhe pajisje ushtarake, vula, flamuj, dokumente, sende shtëpiake dhe objekte të tjera që më së shpeshti lidhen me disa nga personalitetet ose ngjarjet historike, fotografi historike, kartolina etj. Ndër objektet autentike dhe unike gjenden vula e Shefit të Shtabit të Kryengritjes Maqedonase (të Kresnës) të vitit 1878, flamuri i Shoqatës "Ilinden" nga Sofja (shoqatë e veteranëve të Kryengritjes së Ilindenit), presa për prodhimin e monedhave të falsifikuara për nevojat e Organizatës Revolucionare Maqedonase përpara Kryengritjes së Ilindenit, bastunët me thikë të përdorur nga revolucionarët maqedonas Hristo Uzunov dhe Kostadin Kirkov etj.

Mirjana Ninçovska, kuratore këshilltare, mnincovska@yahoo.com

 

Maqedonia midis dy luftërave botërore

 

Koleksioni përmban rreth 1000 objekte, fotografi, dokumente që flasin për kohën kur Maqedonia ishte e ndarë midis Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Shqipërisë, si dhe për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare përmes formimit të shoqërive të ndryshme: partiake, sportive, kulturore dhe arsimore. Pjesëmarrësit ishin të rinj progresivë dhe studentë të cilët më vonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, sakrifikuan jetën e tyre për çlirimin nga fashizmi dhe krijimin e shtetit të popullit maqedonas. Disa prej tyre ishin: Kole Nedellkovski, Kuzman Josifovski, Kosta Racin, Strasho Pinxhur, Borko Taleski, Nikolla Vapcarov, Lazo Trpovski, Boro Menkov dhe shumë luftëtarë të tjerë të njohur dhe më pak të njohur të lirisë.

Departamenti i Historisë ka një koleksion prej rreth 80 veprash origjinale arti: piktura, skulptura dhe karikatura të autorëve të shquar maqedonas, si Llazar Liçenoski, Dimitar Pandillovski, Lubomir Bellogaski, Tomo Vlladimirski, Vangell Koxhoman, Borko Lazeski, Vangell Naumovski, Vasilie Popoviq - Cico, Rodolub Anastasov e të tjerë. Koleksioni, gjithashtu, ka edhe marka postare, kopsa/distinktivë, para të vjetra, flamuj etj.

Kurator i lartë: Ilija Curev, curev.ilija@gmail.com, Udhëheqës i Departamentit të Historisë

 

Koleksioni "Lufta Popullore Çlirimtare në Maqedoni"

 

Koleksioni "Lufta Popullore Çlirimtare në Maqedoni" paraqet një nga koleksionet më të vjetra historike në Muze. Mbledhja e materialit historik dhe e dokumentacionit që do të dëshmojë për periudhën e Luftës së Dytë Botërore, në Maqedoni e njohur edhe si Lufta Nacionalçlirimtare (vitet 1941-1944), filloi menjëherë pas çlirimit të vendit dhe formimit të shtetësisë. Më 11 tetor 1948 u hap ekspozita e parë kushtuar "LNÇ-së së Maqedonisë". Materiali muzeal i mbledhur, i prezantuar në ekspozitë, shërbeu si bazë për krijimin e ekspozitës së parë historike në "Muzeun e ri të Luftës Nacionalçlirimtare të Maqedonisë", i hapur solemnisht më 22 dhjetor 1951. Në vitet në vijim, ky Muze u shndërrua në "Muzeun Historik të Maqedonisë", i cili, si Departament i Historisë, sot është pjesë përbërëse e IN "Muzeu i Republikës së Maqedonisë së Veriut - Shkup".

Koleksioni disponon më shumë se 1000 objekte muzeale dhe disa mijëra fotografi që flasin për luftën popullore çlirimtare dhe antifashiste të popullit maqedonas dhe komuniteteve të tjera etnike që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Koleksioni kryesisht përfshin: armë (pushkë, pistoleta, automate, thika luftarake etj.), municione (bomba, fishekë), pajisje teknike (radiomarrës, aparate fotografike, telefona, dylbi etj.), veshje dhe pajisje të tjera ushtarake (pantallona, këmisha, çizme, veshje oficerësh, çanta, çanta shpine, helmeta etj.), materiale sanitare, flamuj dhe vula të njësive partizane, medalje, plaketa, si dhe një sasi të madhe dokumentacioni në letër, i cili dëshmon për luftën partizane dhe për formimin e shtetit të parë, Maqedonisë Demokratike Federale. Si pjesë e këtë koleksioni ndodhen edhe fotografi të shumta, objekte, dokumente dhe dëshmi që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e maqedonasve nga pjesa e Egjeut të Maqedonisë (pjesa e Maqedonisë që ndodhet në përbërjen e Republikës së Greqisë) në Luftën Nacionalçlirimtare (1941-1945) und në Luftën Civile në Greqi (1946-1949).  

Kurator, Zdravko Stojkoski, zdrstojkoski@gmail.com

 

Maqedonia pas Luftës së Dytë Botërore

 

Si pjesë e ekspozitës së përhershme historike të IN Muzeu i Maqedonisë është edhe ekspozita që i përket koleksionit muzeal "Maqedonia pas Luftës së Dytë Botërore". Ky koleksion paraqet një narrativë të gjallë historike, e cila në mënyrë vizuale përmes objekteve muzeale fokusohet në jetën shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore në Maqedoni në kuadër të federatës jugosllave, në periudhën nga konstituimi i R. së Maqedonisë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945, e deri në pavarësimin e saj në vitin 1991. Objektet muzeale të këtij koleksioni, si rrëfimtarë të një periudhe shumë të rëndësishme nga historia bashkëkohore e popullit maqedonas dhe shtetësisë maqedonase, janë dëshmitarë kyç për këtë periudhë autoritare në të cilën akcenti kryesor është vënë mbi rolin dhe detyrat e klasës punëtore, e mis hëruar përmes partisë së vetme politike të asaj kohe, si bartëse kryesore e të gjithë ndërveprimit shoqëror-politik, ekonomik dhe kulturor në shtet, si dhe për format punëtore të vetëmenaxhimit të organizimit dhe veprimit, të cilat nga ana e tyre ishin një substrat kyç i "demokracisë" socialiste dhe marrëdhënieve të saj shoqërore-politike të funksionimit. Në koleksion kjo periudhë është e ndarë në katër pjesë:

Vendosja e sistemit dhe ekonomisë socialiste: I gjithë mjedisi shoqëror, ekonomik dhe politik në këtë pjesë, duke filluar nga konstituimi i organeve më të larta të pushtetit (ASNOM dhe qeveria e parë e RPM), përmes kolonizimit të brendshëm dhe industrializimit, si dhe politikës së planifikuar ekonomike, janë paraqitur përmes fotografive, vizatimeve, pikturave, flamujve, stemave, posterave, pllakateve, dokumenteve, Kushtetutës së parë të vitit 1946, librezave të punës goditëse (udarnike), kartave të identitetit të brigadave, librezave të punës, librezave të lëshuara nga ministritë e asaj kohe, kartave të përkohshme të anëtarësisë, vërtetimeve për shfrytëzimin e privilegjeve në hotelieri, kartonëve të kontrollit për regjistrimin e personave përkohësisht të papunë, librezave tatimore etj.

Veprimtaria kulturore-arsimore në RPM/SRM: Lufta kundër analfabetizmit dhe ndërtimi i institucioneve parashkollore, shkollave fillore, shkollave të mesme, fakulteteve, teatrove, të paraqitura përmes abetares së parë të vitit 1946, drejtshkrimit të parë të gjuhës maqedonase të vitit 1946, fotografive nga shkollat, fakultetet, teatrot, fletëpalosjet, katalogët etj.

Mjedisi politik në RPM/SRM: Organizatat e atëhershme shoqërore-politike (NFM, NRM, Lidhja e Komunistëve - LKJ/LKM, SZBNM, NMY, AMM, USAOY), si dhe lufta e disa kundërshtarëve politikë për demokratizimin e të gjithë sistemit shoqëror-politik në shtet, i cili udhëhiqej nga KQ i PKJ/PKM/LKJ/LKM, të paraqitura përmes librezave të anëtarësisë, kartave të anëtarësisë, biletave dhe legjitimacioneve për pjesëmarrje në kongrese, fotografive nga kongreset, distinktivëve etj.

Shpërbërja e RSFJ-së dhe pavarësia e RM-së: Kjo pjesë përfshin periudhën nga vdekja e Josip Broz Titos (1980) dhe fillimi i fundit të RSFJ-së, si dhe shpërbërjen e saj (1990/1991) dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë, të paraqitur përmes fotografive, deklaratës së pavarësisë, referendumit, kushtetutës së re, parave të para etj.

Kurator i lartë, Boro Bunteski, bunteboro@gmail.com

 

Kultura fizike dhe sporti

 

Koleksioni për kulturë fizike dhe sport përfshin periudhën e shfaqjes së disiplinave moderne sportive në Maqedoni, nga fillimi i shekullit XX (periudha pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908) e deri më sot.

Në vetë koleksionin janë të përfaqësuara një pjesë e madhe e fotografive, dokumenteve dhe objekteve që flasin për zhvillimin e kulturës fizike dhe sportit. Në periudhën midis dy luftërave botërore dominon futbolli si sport i pranuar nga të gjithë dhe shoqëritë gjimnastikore – sokolët. Në periudhën e pasluftës vjen deri te zhvillimi i të gjitha disiplinave sportive.

Në vetë koleksionin, si fonde të veçanta do të dalloheshin fondet e themeluesve të atletikës dhe të vrapimit të maratonës në Maqedoni, Memo Sulejmanov, dhe të notit të maratonës (për femra), Atina Bojaxhi.

Pa realizues