Muzeu i Maqedonisë është institucioni më i madh dhe më i vjetër i këtij lloji në RM të Veriut, i cili ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në mbledhjen, ruajtjen, studimin, mbrojtjen dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore maqedonase. Muzeu përfaqëson një organizatë të ndërlikuar të përbërë nga disa departamente: ai Historik, Etnologjik, i Historisë së Artit, Laboratori i Konservimit dhe Departamenti i Edukimit.
Në vitin 1991, në kuadër të kompleksit të atëhershëm "Muzeu i Maqedonisë", u formua edhe Departamenti i Artit, i cili u krijua nga koleksionet artistike që përmbajnë objekte si ikona, freska, plastikë dekorative, relikuarë, kryqe, pagëzimore, libra, kadilnicë (enë temjani) dhe vepra të artit bashkëkohor.
Departamenti i Historisë së Artit përbëhet nga 7 koleksione të materialeve dhe objekteve muzeale:
Këto koleksione trajtojnë materiale muzeale nga periudha bizantine, mesjeta e vonë, si dhe nga shekujt XVIII, XIX dhe XX. Objektet janë mbledhur nga mesi i shekullit të kaluar e deri më sot. Një pjesë e tyre janë siguruar përmes blerjes, ndërsa pjesa më e madhe përmes kërkimeve mbrojtëse nëpër kishat dhe manastiret e Maqedonisë.
Koleksioni "Arti Islam" përmban 21 (njëzet e një) dorëshkrime arabe. Një pjesë e tyre janë të shkruara me dorë, ndërsa një pjesë janë të shtypura. Ato përmbajnë iluminime dhe prarim (poverim me ari). Shumica kanë përmbajtje fetare. Nga viti 2012 e deri më sot, ato i nënshtrohen konservimit, i cili realizohet në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare "Shën Klimenti i Ohrit". Dorëshkrimet datojnë nga shekulli XV deri në fillim të shekullit XX.
Osmanologu Dragi Gjorgjiev ka bërë një përkthim me të dhëna bazë për secilin dorëshkrim veç e veç.
Tatjana Kançevska, kuratore e lartë tanjakance@gmail.com
Koleksioni përmban fragmente të dekorit arkitekturor mesjetar prej guri, të cilat kronologjikisht i përkasin periudhës nga shekulli XII deri në shekullin XV. Nga pikëpamja tematike dhe stilistike, këto elemente dekorative janë karakteristike për traditën bizantine të plastikës dekorative të zbatuar dhe ilustrojnë inventivitetin artistik dhe shpirtëror të kohës në të cilën janë krijuar. Bëhet fjalë për mbetje të ikonostaseve skulpturore të altarit, portaleve, kapitujve dhe pagëzimoreve që janë të zbukuruara me motive bimore, zoomorfe dhe gjeometrike, ndërsa disa prej tyre posedojnë edhe mbishkrime të rëndësishme epigrafike. Grupi më i numërt në këtë koleksion janë fragmentet nga kisha "Shën Kryeengjëjt" nga Prizreni e viteve 1348/52. Gjithashtu, pjesë e koleksionit janë edhe një fragment i madh i një portali nga një kishë e panjohur e Shkupit mesjetar, pagëzimoret prej mermeri nga Manastiri i Markut i vitit 1393 dhe "Shën Prohor Pçinski" i vitit 1483, pllaka e varrit të Maria Paleologut e vitit 1355, një ikonostas mermeri pjesërisht i ruajtur nga kisha "Shën Atanasi" në Leshok etj.
Borçe Topukovski, kurator i lartë borcetopukovski@gmail.com
Ky koleksion përbëhet nga dy pjesë: Freskat origjinale dhe Kopjet e freskave.
Në pjesën Freskat Origjinale, ka 80 tërësi dhe fragmente nga freskografia maqedonase, të cilat rrjedhin kryesisht nga kërkimet mbrojtëse të Muzeut. Freskat janë realizuar në teknikën tempera mbi llaç nga shekulli XI - XIX dhe e kanë origjinën nga disa kisha, ndër të cilat: "Shën Mëria e Madhe", Mateç; "Shën Nikolla", Novaci; "Trinia e Shenjtë" - fshati Çuçer, Shkup; "Shën Nikolla" - fshati Novaci, Tetovë; kompleksi "Vodoça"; "Shën Gjorgji", Manastiri i Pologut etj.
Si shembuj ndër më përfaqësuesit mund të veçohen freskat nga kisha "Shën Leonti" në Vodoçë, të cilat datojnë nga gjysma e parë e shekullit XI. Ato janë dy paraqitje monumentale të dy dhjakëve, Isavrios dhe Evplos.
Kopjet e Freskave
Pjesa e kopjeve të freskave është krijuar që nga fillimi i veprimtarisë muzeale dhe është koleksioni më i madh i këtij lloji në Maqedoni. Ai përfaqëson një lloj specifik të dokumentimit të pikturës murale mesjetare dhe bën pjesë në kategorinë e objekteve muzeale artistike. Përmes këtij koleksioni, skenat tona antologjike janë shpëtuar përgjithmonë nga dëmti i kohës. Kopjuesit i kanë realizuar ato në teknikën tempera mbi kanavacë, me dimensione dhe ngjyra identike me origjinalet nëpër kisha. Skenat e kopjuara kanë rëndësi ikonografike, artistike, historike dhe kulturore. Bëhet fjalë për skena nga Dhjata e Vjetër dhe e Re, për krerë të kishës, iluministë, shenjtorë lokalë, kompozime ktiroshtie (të themeluesve), skena nga jetëshkrimet e shenjtorëve dhe ilustrime poetike. Përmes kopjeve ndiqet kronologjikisht zhvillimi i pikturës murale në Maqedoni nga shekulli IX deri në shekullin XVIII.
Marija Petkovska, kuratore marijajp07@gmail.com
Koleksioni i ikonave në Muzeun e RM të Veriut është një nga më të numërtit e këtij lloji në vend. Ai përmban më shumë se 500 ikona dhe gdhendje në dru, si shembujt më tipikë dhe më reprezentativë të periudhës bizantine dhe pasbizantine, duke filluar nga shekulli XIV e deri në mesin e shekullit XX. Shembuj të tillë janë ikonat: Jezu Krishti Shpëtimtar dhe Jetëdhënës (viti 1394) e pikturuar nga Mitropoliti Jovan, dhe Shën Mëria Pelagonitisa (viti 1422) e pikturuar nga vëllai i tij, murgu Makarij – ikona këto që i përkisnin ikonostasit në manastirin e Zrzës në Prilep.
Nga periudha pasbizantine ekziston një grup veprash (viti 1535) që rrjedhin nga manastiri i Slepçes në Demir Hisar, të pikturuara në punëtorinë e zografit Jovan nga Gramosta e Kosturit. Koleksioni përmban gjithashtu shembuj reprezentativë të kryqeve të ikonostaseve të shekullit XVI, siç është kryqi i manastirit të Slepçes, i pikturuar në punëtorinë e zografit Onufri nga Argosi, dhe kryqi i manastirit të Pologut (viti 1584).
Ka një numër të madh ikonash nga zografë anonimë me origjinë nga Nerezi, Ohri, Kurbinova, Struga dhe zona të tjera; ikona nga manastiri i Lesnovës në Zletovë (viti 1626). Një rrallësi tematike në ikonat e kësaj periudhe është paraqitja e psalmeve të fundit të Davidit, siç është rasti me ikonën nga manastir i "Shën Kryeengjëjt" në Kuçevisht. Ikonat e shekullit XVIII përfaqësohen me vepra të mjeshtërve anonimë, por edhe me ikona nga punëtoritë e ikonografëve të njohur si Davidi nga Selenica ose vëllezërit Kostandin dhe Atanas, zografë nga Korça.
Ikonat më të rëndësishme të fillimit të shekullit XIX janë ato të zografëve: prifti Petar, Kërste nga Velesi, Kërste Pop Trajanoviq, murgu Antoni nga Manastiri e të tjerë. Figura më mbresëlënëse e mesit të shekullit është zografi Dhimitër Kërsteviç - Diço nga Tresonça. Është ruajtur një numër modest i shembujve të artit grafik popullor nga ish-muzeu i kishës (shekujt XVII dhe XVIII). Në koleksion ruhen edhe antimise (pëlhura të shenjta), ku më e vjetra daton nga viti 1780, ndërsa më e reja nga viti 1915.
m-r Tatjana Trajkoviq, kuratore, tatjanatrajkovic@yahoo.com
Ky koleksion përbëhet nga objekte liturgjike dhe dekorative prej metali, druri dhe tekstili. Mund të veçojmë disa nga më të rëndësishmit: një polielei (lustër kishe) metalik plotësisht i ruajtur nga kisha në Psaçë, Kriva Pallankë, që daton nga shekulli XIV; fragmente polieleish dhe kadilnicash të së njëjtës periudhë nga Manastiri i Markut, Shkup. Ekzistojnë pjata të shumta argjendi për ikona dhe kadilnicë, kryesisht nga mesjeta e vonë, siç është kadilnica nga manastiri "Shën Prohor Pçinski". Një shembull interesant i përpunimit artistik të tekstilit janë dy veshjet priftërore nga gjysma e dytë e shekullit XVIII nga Manastiri i Bigorit.
Në kuadër të këtë koleksioni ndodhet trashëgimia e piktores Keraca Visulçeva (1910-2003), të cilën ajo ia la si trashëgimi RM të Veriut. Koleksioni përbëhet nga më shumë se 400 vepra në vaj, pastel, akuarel, qymyr, laps dhe argjilë, të realizuara që nga fillimi i viteve të 40-ta të jetës së saj. Temat janë të larmishme dhe përfshijnë portrete, peizazhe, banja, akte etj. Stili i saj mban ndikime nga impresionizmi dhe ekspresionizmi francez, realizmi akademik i Mynihut, me një synim drejt konceptit modern bashkëkohor.
Në sarajin e Nijazi Beut në Resnjë, sot Pallati i Kulturës "Dragi Tozija", ndodhet dhoma përkujtimore e piktores Keraca Visulçeva. Aty janë të ekspozuara një pjesë e pikturave dhe vizatimeve nga krijimtaria e saj, si dhe fotografi, sende personale, medalje, dekorata dhe mirënjohje që artistja i mori në shtete të ndryshme evropiane. Këtu ndodhet edhe piktura e saj e fundit, portreti i presidentit Kiro Gligorov.