Në këtë ditë, më 13 nëntor 1944, Këshilli Popullor Çlirimtar i Qytetit të Shkupit (KPÇQ), i formuar si pjesë e sistemit të Këshillave Popullore Çlirimtare, sipas vendimeve të Presidiumit të KAÇKM-së (ASNOM), miratoi masat e para me të cilat u vendos administrata civile në Shkupin e sapoçliruar.
Natën e 13 nëntorit dhe në orët e mëngjesit të 14 nëntorit, njësitë e fundit naziste gjermane, pjesëtarë të Grupit të Armatës "E", të cilët më parë mbanin qytetin, u tërhoqën në veri drejt Kosovës, ndërsa një pjesë e tyre u dorëzuan. Në qytet hynë njësitë ushtarake maqedonase të udhëhequra nga udhëheqja politike dhe ushtarake e Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe Aradhave Partizane të Maqedonisë. Me këtë, Shkupi efektivisht u bë kryeqyteti i republikës së re, Maqedonisë Demokratike Federale, në përbërje të Jugosllavisë federale.
Çlirimi i qytetit pasoi pas luftimeve të përgjakshme disaditore që u zhvilluan në periferi dhe në vetë qytetin. Në luftime morën pjesë njësitë e UNÇ-së së Maqedonisë, së bashku me grupet e sabotazhit dhe qytetarët e vetë qytetit. Një rol aktiv luajtën edhe një pjesë e njësive të ushtrisë bullgare, e cila, pas grushtit të shtetit të 9 shtatorit 1944, iu bashkua koalicionit antihitlerian dhe u përfshi në dëbimin e forcave naziste nga këto hapësira. Në operacionet përfundimtare për çlirimin e Shkupit, humbën jetën më shumë se 400 luftëtarë dhe civilë maqedonas.
13 Nëntori – Dita e Çlirimit të Shkupit!
Kurator Zdravko Stojkoski