Музеј на Македонија Logo

Gëzuar 8 Shtatorin - Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë!

Gëzuar 8 Shtatorin - Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë!

Në këtë ditë, më 8 shtator 1991, u mbajt Referendumi për Pavarësi, në të cilin qytetarët e Republikës së Maqedonisë u deklaruan rreth pyetjes: "A jeni për një shtet sovran dhe të pavarur të Maqedonisë me të drejtë për të hyrë në një Union të ardhshëm të shteteve sovrane të Jugosllavisë?". Në votim morën pjesë 75.74% e qytetarëve me të drejtë vote, nga të cilët 96.46% votuan PËR. Me këtë, Republika e shpalli pavarësinë e saj nga federata jugosllave.

Referendumi u mbajt në kushtet e dezintegrimit të përshpejtuar të bashkësisë ish-socialiste dhe të një rreziku real për shpërthimin e konflikteve të armatosura në vend. Rezultati i pasuksesshëm i negociatave për statusin dhe marrëdhëniet e ardhshme në Federatë detyroi disa nga republikat, përfshirë edhe Maqedoninë, t'i referohen të drejtës për vetëvendosje, duke përfshirë edhe shkëputjen. Në të njëjtën kohë, në ato momente vendimtare, nuk u përjashtua plotësisht mundësia e arritjes së një marrëveshjeje dhe bashkëjetese të ardhshme, gjë që përfshihej në pjesën e dytë të pyetjes së referendumit. Megjithatë, shpërthimi i konflikteve të para të armatosura në Slloveni dhe përhapja e tyre në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, e bënë këtë opsion të parealizueshëm.

Duke u mbështetur në rezultatet e votimit të referendumit, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, në seancën e mbajtur më 17 shtator 1991, miratoi një Deklaratë me të cilën konstatohej vullneti i shprehur plebishitar i qytetarëve, pas së cilës filloi procesi i ndarjes paqësore dhe kalimit të kompetencave nga niveli federativ jugosllav në atë republikan. Përveç kësaj, vendimi i referendumit i hapi rrugën njohjes ndërkombëtare të shtetit të ri të pavarur dhe integrimit të tij në institucionet ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara (OKB).

Gëzuar 8 Shtatorin - Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë!

Legjenda e fotografisë: Pllakat votimi për referendumin e 8 shtatorit 1991.