24 Tetori është Dita e Kombeve të Bashkuara. Në këtë ditë, në vitin 1945, hyri në fuqi Karta e Kombeve të Bashkuara, duke shënuar zyrtarisht fillimin e punës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). OKB-ja përfaqëson organizatën më të lartë ndërkombëtare, e themeluar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me qëllim të kontribuimit në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë, kujdesit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përmirësimin e jetës së njerëzve në mbarë botën.
Në fillim, Karta u nënshkrua nga 51 vende themeluese të Organizatës, ndër të cilat edhe ish-Jugosllavia. Pas shpërbërjes së Federatës, si një nga vendet pasardhëse, Republika e Maqedonisë u pranua zyrtarisht si anëtare me të drejta të plota e OKB-së më 8 prill 1993, nën emrin Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Me këtë u përmbyll njohja ndërkombëtare e vendit, si pjesë e familjes botërore të kombeve.
Sot OKB-ja përfshin 193 vende anëtare dhe përbëhet nga trupa, organe, agjenci dhe fonde të shumta. Ndër to shquhen: Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Agjencia për Mbrojtjen e Fëmijëve (UNICEF), Organizata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) dhe shumë të tjera. Si Organizatë që rrjedh nga rendi botëror i pasluftës, në botën e sotme të pasigurt dhe të ndryshueshme, OKB-ja përballet me kriza dhe sfida të shumta. Njëkohësisht, ajo përfaqëson vendin e vetëm ku mund të mblidhen të gjitha kombet e botës, të bisedojnë për problemet e përbashkëta dhe të gjejnë zgjidhje në dobi të mbarë njerëzimit dhe planetit Tokë.
Poster nga Lufta e Dytë Botërore me një citat nga rreshti i parë i preambulës së Kartës së OKB-së: "Ne, popujt e Kombeve të Bashkuara."