Музеј на Македонија Logo

Krste Petkov Misirkov

Krste Petkov Misirkov

Në këtë ditë (26 korrik 1926), në Sofje ndërroi jetë Krste Petkov Misirkov (1874–1926) – filolog, publicist, historian dhe një nga veprimtarët më të rëndësishëm kombëtarë maqedonas.

Vepra e tij kapitale, "Për çështjet maqedonase" ("Za makedonckite raboti"), e botuar në vitin 1903, përfaqëson programin e parë të bazuar shkencërisht për kodifikimin e gjuhës letrare maqedonase, mbështetur në të folmet e Maqedonisë qendrore. Kjo vepër trajton gjithashtu çështje kyçe etnografike, kulturore dhe historike, duke u bërë një nga dokumentet më të rëndësishme për studimin e zhvillimit kombëtar e kulturor. Misirkov e konsideronte gjuhën si mezin më të fuqishëm të identitetit kombëtar, duke nërvijëzuar njëkohësisht rëndësinë e arsimit dhe kulturës në zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare.

Përveçse si kodifikues i gjuhës letrare, Misirkov ka një vend të rëndësishëm edhe në etnologji e etnografi. Si hulumtues, ai studioi kulturën tradicionale, doket dhe krijimtarinë popullore, duke marrë pjesë në kërkimet etnografike të Akademisë së Shkencave të Rusisë për mbledhjen e të dhënave mbi popullsinë, gjuhën dhe kulturën e Maqedonisë. Ai gjithashtu themeloi revistën "Vardar", një nga revistat e para të shtypura në gjuhën e re letrare, përmes së cilës promovoi idetë e tij gjuhësore, kulturore dhe kombëtare.

Qëndrimet e tij shërbyen më vonë si temeli mbi të cilin u bazua kodifikimi zyrtar i gjuhës letrare maqedonase në vitin 1945. Misirkov konsiderohet si themelues i mendimit modern gjuhësor e kombëtar maqedonas, ndërsa vepra e tij mbetet një vlerë e përhershme për shkencën dhe historinë kulturore.

Në Muzeun e Maqedonisë ruhen disa nga gjërat e tij personale.