Në këtë ditë ndërroi jetë Vera Kliçkova, (Shkup, 24.4.1911 – Shkup, 25.05.1998) etnologe, muzeologe dhe folkloriste maqedonase.
Në vitin 1934 diplomoi në Fakultetin Filozofik në Shkup në lëndët: etnollogji, antropogjeografi, gjeografi, kurse në vitin 1947 në Zagreb përfundoi një kurs special muzeologjik.
Jetën e saj të punës e kaloi në profesionin muzeal-konservues si: asistente, kustose, kustose e lartë dhe drejtoreshë e Muzeut Etnologjik – Shkup (sot Muzeu i Maqedonisë), ku udhëhoqi të gjithë punën profesionale-shkencore, organizative dhe administrative, si dhe punën kërkimore-shkencore dhe grumbulluese në terren.
Gjithashtu, ajo ishte edhe redaktore e botimit „Glasnik“ të Muzeut Etnologjik – Shkup. Për veprimtarinë e saj profesionale dhe shkencore ka marrë çmime dhe mirënjohje të shumta.
Për kujtim të saj, më 4 qershor 2025, si pjesë e ekspozitës së përhershme muzeale etnologjike, u hap një dhomë përkujtimore, sipas pamjes së zyrës së saj të punës në muze gjatë kohës sa ishte drejtoreshë, me çka në dhomën përkujtimore u prezantua edhe një film biografik për këtë personazh të shquar. Në dhomën përkujtimore janë restauruar objekte origjinale, dokumente dhe sende personale, si dhe mobiliet e zyrës ku ajo punoi si drejtoreshë për plot 26 vjet.
Në filmin e realizuar për rëndësinë dhe arritjet e Vera Kliçkovës në etnollogji dhe muzeologji si dhe në krijimin e filmave etnologjikë, flasin bashkëkohësit dhe kolegët e saj, gjë që plotëson imazhin për përkushtimin e plotë dhe dashurinë ndaj profesionit, si dhe rolin e saj të rëndësishëm në jetën e përgjithshme shoqërore në Maqedoni.
Vera Kliçkova ka merita të mëdha në organizimin dhe pasurimin e koleksioneve etnografike në këtë dhe në institucionet e tjera muzeale, si dhe në rolin pionier në fushën e antropologjisë vizuale dhe në krijimin e filmave të parë etnologjikë në Maqedoni. Numri i përgjithshëm i objekteve të grumbulluara në Muze gjatë jetës së punës së Kliçkovës arrin në 15.000.
Vera Kliçkova është doajene e etnologjisë vizuale në Maqedoni. Nga mesi i viteve të 50-ta të shekullit të 20-të, ajo filloi me xhirimin e organizuar të filmave etnologjikë dhe është „zonja e parë“ në këtë veprimtari, jo vetëm te ne, por edhe më gjerë në rajon. Si skenariste dhe regjisore ka xhiruar 6 filma në periudhën nga viti 1952/53 deri në vitin 1964/66: „Azot“ dhe „Zakonet e Pashkëve“, „Zakonet e Shën Gjergjit“, si dhe „Zakonet e Rusalive“ në rajonin e Gjevgjelisë, „Peshkimi në liqenin e Katllanovës“ dhe „Dasma e Mariovës“. Në fushën e etnologjisë vizuale, puna e saj është avangarde, me rëndësi historike dhe kulturore, e ngjashme me punën e vëllezërve Manaki, si pionierë të kohës së tyre për të regjistruar në film ngjarje dhe momente të rëndësishme nga e përditshmja dhe nga jeta tradicionale e popullatës në Maqedoni gjatë shekullit të 20-të.